Si t’i mbani të sigurta kartat e kreditit nga mashtrimet online?
Në epokën digjitale, blerjet online dhe transaksionet elektronike janë bërë pjesë e përditshmërisë sonë. Megjithatë, rritja e përdorimit të kartave të kreditit (credit cards) në internet ka sjellë edhe një rritje të mashtrimeve financiare. Mbrojtja e tyre gjatë përdorimit online është thelbësore për të shmangur humbjet financiare dhe ruajtjen e sigurisë tuaj personale.
Ja disa këshilla të rëndësishme që mund t'ju ndihmojnë të mbroni kartën tuaj nga mashtrimet online.
1. Përdorni vetëm faqet e sigurta dhe të njohura
Kur bëni blerje online, sigurohuni se faqet ku jeni duke ofruar të dhënat tuaja janë të sigurta dhe të besueshme. Ja disa hapa që mund të ndiqni:
- Kontrolloni URL-në: Faqet e sigurta do të kenë një URL që fillon me "https://", ku "s" qëndron për "secure" (e sigurt). Gjithashtu, kërkoni simbolin e një dryni në shiritin e adresës, që tregon se faqja përdor një protokoll të sigurt enkriptimi.
- Zgjidhni faqe të njohura dhe me reputacion: Bëni blerje vetëm në faqe të njohura dhe të vlerësuara. Shmangni faqet që duken të dyshimta ose kanë përmbajtje të pasaktë.
2. Aktivizoni njoftimet dhe monitoroni llogaritë tuaja
Një mënyrë efektive për të mbrojtur veten nga mashtrimet me kartën tuaj është të qëndroni të informuar për çdo aktivitet në llogarinë tuaj:
Aktivizoni njoftimet: Shumë banka dhe institucione financiare ofrojnë shërbime njoftimesh përmes SMS ose email për çdo transaksion që bëni me kartën tuaj. Kjo do t'ju ndihmojë të ndaloni çdo aktivitet të dyshimtë në kohë reale.
- Monitoroni rregullisht llogaritë tuaja: Kontrolloni rregullisht deklaratat e kartës suaj të kreditit dhe njoftimet për të parë nëse ka ndonjë transaksion të dyshimtë që nuk është bërë nga ju.
3. Mos ruani të dhënat e kartës suaj në faqet e internetit
Disa faqe ofrojnë opsionin për të ruajtur të dhënat e kartës suaj për blerje të ardhshme. Kjo mund të duket e përshtatshme, por gjithashtu shton një rrezik të lartë për të rënë pre e mashtrimeve:
- Mos ruani të dhënat e kartës suaj: Përdorni gjithmonë opsionin për të mos ruajtur të dhënat e kartës suaj, sidomos nëse nuk jeni të sigurt për sigurinë e faqes. Kjo do të reduktojë shanset që informacioni juaj të bjerë në duar të gabuara në rast të një sulmi kibernetik.
4. Përdorni autentifikimin me dy faktorë
Autentifikimi me dy faktorë është një shtresë shtesë sigurie që kërkon më shumë se vetëm një fjalëkalim për të hyrë në llogarinë tuaj. Kjo mund të përfshijë një kod që dërgohet në celularin tuaj ose një pyetje sigurie:
- Aktivizoni autentifikimin me dy faktorë: Përdorni këtë opsion sa herë që ju ofrohet për të mbrojtur hyrjen në llogaritë tuaja financiare.
5. Kujdes nga emailet mashtruese dhe mesazhet SMS
Mashtrimet online shpesh fillojnë me emaile ose mesazhe që duken të ligjshme, por që synojnë të marrin informacionin tuaj personal ose të kartës suaj. Këto mesazhe shpesh përmbajnë lidhje të dyshimta ose kërkesa për të dhëna të ndjeshme:
- Mos klikoni në lidhje të dyshimta: Nëse merrni një email ose SMS që duket i dyshimtë, mos klikoni në lidhje ose mos ndani informacionin tuaj personal. Kontaktoni direkt me kompaninë përmes kanaleve të tyre zyrtare për të verifikuar vërtetësinë e mesazhit.
- Për të lexuar më shumë rreth Emaileve mashtruse (Phishing) klikoni këtu e rreth Mesazheve mashtruse (Smishing) mund te lexoni ketu:
6. Përdorni softuerë sigurie dhe mbani pajisjet të përditësuara
Mbrojtja e pajisjeve tuaja është po aq e rëndësishme sa dhe mbrojtja e kartës suaj. Instalimi i një softueri sigurie dhe përditësimi i rregullt i pajisjeve mund të ndihmojë në parandalimin e sulmeve kibernetike:
- Përdorni softuerë të përditësuar për antivirus dhe firewall: Kjo do të ndihmojë në bllokimin e faqeve te rrezikshme dhe të ndaloni viruset që mund të marrin informacionin tuaj.
- Përditësoni pajisjet tuaja: Sigurohuni që të keni përditësimet më të fundit të sistemit operativ dhe aplikacioneve për të përmirësuar sigurinë.
- Masa shtesë të sigurisë: Përdorni kodet PIN, gjurmët e gishtit ose njohjen e fytyrës për të mbrojtur pajisjet tuaja nga akses i paautorizuar.
7. Mos përdorni rrjete Wi-Fi publike për transaksione financiare
Kur bëni blerje online ose kontrolloni llogaritë tuaja bankare, shmangni përdorimin e rrjeteve Wi-Fi publike, të cilat shpesh janë të paenkriptuara dhe të pasigurta:
- Përdorni rrjetin tuaj të besuar ose një VPN: Gjithmonë bëni transaksione financiare vetëm në rrjete të sigurta ose përdorni një VPN (Virtual Private Network) për të enkriptuar lidhjen tuaj.
Mbrojtja nga mashtrimet online me kartat e kreditit është një proces i vazhdueshëm që kërkon vëmendje dhe masa të përshtatshme sigurie. Duke ndjekur këto këshilla të thjeshta, ju mund të mbani kartat tuaja të sigurta dhe të shmangni rrezikun e mashtrimeve financiare.
Nëse dyshoni se kartat tuaja janë komprometuar, mos hezitoni të kontaktoni bankën menjëherë për të bllokuar kartën dhe për të verifikuar çdo transaksion të dyshimtë.
Ju lutemi keni parasysh se kanalet tona të komunikimit zyrtare janë vetëm përmes numrave të telefonit: 038/222-222 dhe 049/222-222, si përmes domainit tone zyrtar: raiffeisen-kosovo.com.
Nëse merrni ndonjë thirrje, mesazh, apo email që duket se vjen nga këto numra ose nga domaini ynë, por keni dyshime mbi autenticitetin e tyre, ju lutemi të ndërprisni menjëherë komunikimin dhe të mos ndani asnjë informacion personal apo të ndjeshëm dhe na njoftoni menjëherë"