Kredi prej 5 milionë euro nga BERZH-i për ta rritur financimin e gjelbër për bizneset vendore
- Linja kreditore e BERZH-it prej 5 milionë € e kombinuar me incentivat e investimeve të financuara nga BE-ja për NMVM-të në Kosovë
- Të paktën një e treta e projekteve do t'i mbështetin investimet në sektorin e agrobiznesit
- 25 për qind e përfituesve do të jenë NMVM të udhëhequra nga gratë
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) po rrit investimet në ekonominë e gjelbër në Kosovë në bashkëpunim me Bashkimin Evropian (BE) dhe Raiffeisen Bank në Kosovë. BERZH-i do të sigurojë financim deri në 5 milionë eurosh për banken për huadhënien e mëtejshme për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme në kuadër të programit SME Go Green, i lansuar me mbështetjen e BE-së.
Fondet i dedikohen plotësisht investimeve në ekonominë e gjelbër, duke përfshirë efiçencën e energjisë, efiçencën e burimeve dhe investimet në energjinë e ripërtëritshme, që pritet të kontribuojnë në reduktimin e emetimeve të gazrave serrë në vend.
Bizneset vendore do të kenë mundësinë të aplikojnë për financim për të investuar në ambiente industriale, pajisje, softuer, automjete elektrike apo masa për energjinë e ripërtëritshme.
Së paku një e treta e kredisë së BERZH-it për RBKO-në do t'i dedikohet investimeve brenda zinxhirit të vlerës të agrobiznesit. Njëzet e pesë për qind e financimit do të shkojë për NMVM-të e udhëhequra nga gratë.
Me përfundimin me sukses të projekteve të tyre investuese, NMVM-të do të kenë të drejtë për një grant me kthim parash prej 10 për qind të shumës së kredisë, ose 15 për qind për investime në energjinë e ripërtëritshme dhe zinxhirin e vlerës të
agrobiznesit.
Drejtori i BERZH-it për Kosovën, Maslichenko, tha: “Jemi krenarë që vazhdojmë mbështetjen tonë për NMVM-të në Kosovë, një komponent jetik i ekonomisë së vendit, me programe të ndryshme të përshtatura për nevojat e tyre. Kjo nismë është thelbësore për të shtyrë përpara tranzicionin e gjelbër në nivel më të detajuar, duke ndihmuar bizneset vendore ta arrijnë qëndrueshmërinë dhe ta rrisin reziliencën e tyre. Me BE-në dhe Raiffeisen Bank në Kosovë si partnerët tanë, ne jemi të pozicionuar mirë për ta nxitur një sektor privat më të gjelbër në vend."
Banka Raiffeisen është banka më e madhe komerciale në Kosovë dhe partnere e BERZH-it që nga viti 2019, me histori të dëshmuar me linjat e kreditimit të NVM-ve.
Drejtoresha Ekzekutive e Bankës Raiffeisen në Kosovë, znj. Anita Kovacic, tha: “Jemi të kënaqur që e vazhdojmë partneritetin tonë të gjatë me BERZH-in në këtë program që fuqizon bizneset e Kosovës, veçanërisht ato të udhëhequra nga gratë, për të adoptuar praktika të qëndrueshme. Bizneset mikro dhe të vogla janë shtylla kurrizore ekonomike e Kosovës dhe ne jemi të përkushtuar ta mbështesim rritjen dhe qëndrueshmërinë e tyre.”
RBKO bëhet institucioni i parë financiar partner në Kosovë që përfiton nga programi i BERZH-it "SME Go Green", pas lansimit të tij zyrtar në vend në shtator 2024.
BERZH-i është investitori më i madh institucional në Kosovë me projekte si në sektorin privat ashtu edhe në
atë publik. Banka ka investuar rreth 680 milionë euro përmes mbi 110 projekteve që nga fillimi i veprimtarisë në vend në vitin 2012.