Ceremonia e inaugurimit të Raiffeisen Tech Kosova mblodhi përfaqësues institucionesh dhe të RBI-së
Dje u shënua një moment i rëndësishëm për peizazhin teknologjik të Kosovës me inaugurimin e Raiffeisen Tech Kosovo. Kjo kompani e re, e themeluar si një degë e Raiffeisen Tech në Vjenë, do të mbështes rrjetin e Raiffeisen Bank International AG në fushën e IT-së.
Raiffeisen Tech Kosova përbëhet nga rreth 100 profesionistë të teknologjisë. Ata kanë operuar si pjesë e Qendrës së Kompetencës brenda Raiffeisen Bank në Kosovë përpara se të kalonin në këtë njësi të re.
Themelimi i Raiffeisen Tech Kosova shpërfaq gatishmërinë e rinisë sonë të punojë me kompanitë ndërkombëtare, por gjithashtu thekson edhe angazhimin e RBI-së për avancimin e investimeve të tyre teknologjike.
Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, Raiffeisen Bank International dhe Bankës Raiffeisen në Kosovë morën pjesë në një ceremoni inaugurimi të enjten në Prishtinë.
Duke iu drejtuar të ftuarve, znj. Anita Kovacic, Drejtoreshë Ekzekutive e Bankës Raiffeisen në Kosovë, e përshkroi këtë zhvillim si një moment të rëndësishëm si për Raiffeisen ashtu edhe për Kosovën. "Kjo është një mundësi e shkëlqyer për talentët e Kosovës të shkëlqejnë në skenën globale,” tha ajo.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, tha se Qeveria e Kosovës po ndërton një sistem të qëndrueshëm qeverisës për kërkime, zhvillim dhe inovacion, ku përmes politikave dhe instrumenteve qeveritare për zhvillim të inovacionit dhe ndërmarrësisë, po rrit hapësirat dhe mbështetjen financiave për rininë e talentuar kosovare si resursi kryesor për
zhvillim socio ekonomik dhe transformim të përgjithshëm në vendin tonë.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, z. Ahmet Ismaili, tha se shërbimet financiare digjitale dhe fintech janë duke përmirësuar qasjen në financa, në përputhje me angazhimin e Bankës Qendrore për zhvillimet rregullatore dhe teknike. Trajtimi i duhur i çështjeve të sigurisë kibernetike, mbrojtja e konsumatorëve dhe edukimi financiar mbetet një detyrë që kërkon angazhim të vazhdueshëm. Ai ishte i kënaqur të shihte se zhvillimi i sotëm, ndër të tjera, kontribuon në këtë drejtim.
Znj. Elisabeth Geyer-Schall, Udhëheqëse e IT-së, të Dhënave dhe Platformave në Grupin RBI, dhe z. Harald Schaschinger, CEO i Raiffeisen Tech, ishin gjithashtu pjesë e ngjarjes dhe iu drejtuan mysafirëve me një fjalë rasti.
Z. Bujar Ibrahimi, Menaxher i Përgjithshëm i Raiffeisen Tech Kosova, dhe znj. Drenusha Shehu Pula, Menaxhere e Operacioneve, falënderuan mysafirët dhe ofruan një përmbledhje të shkurtër të kompanisë.