Raiffeisen Kosova bëhet nënshkruese e Parimeve të Fuqizimit të Grave (WEPs)
Banka Raiffeisen në Kosovë ka kënaqësinë të njoftojë se është bërë nënshkruese e Parimeve të Fuqizimit të Grave (në anglisht: Women’s Empowerment Principles). Iniciuar nga UN Women dhe Kompakti Global i Kombeve të Bashkuara, këto Parime ofrojnë udhëzime për bizneset se si të avancojnë barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave në vendin e punës dhe në komunitet.
Përkushtimi ndaj këtyre parimeve tregon zotimin e Raiffeisen në Kosovë për të përparuar tutje rolin e gruas në Bankë, dhe Drejtoresha Ekzekutive, Anita Kovacic, e përshkroi nënshkrimin e Parimeve si një hap tjetër përpara në këtë drejtim.
“Fuqizimi i grave është në thelb të parimeve tona dhe ne kemi arritur sukses të madh në avancimin e rolit të tyre brenda Bankës sonë. Ne mbetemi të përkushtuar për të siguruar që agjenda jonë për barazinë gjinore të zbatohet dhe ne mezi presim të shkëmbejmë përvojat dhe të punojmë së bashku me nënshkruesit e tjerë të Parimeve” tha znj. Kovacic.
Aktualisht, gjysma e anëtarëve të Bordit Menaxhues të Bankës në Kosovë janë gra, kurse ato poashtu mbajnë rreth gjysmën (48%) të pozitave menaxhuese të Bankës. Nga rreth 850 punonjës sa ka Banka gjithsej, 55% e tyre janë gra.